Klodiana Spahiu firmos projektin që refuzoi Evis Sala, modeli KAYO edhe për blerjen e barnave

Nga
A Shehu
Leximi

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka konfirmuar rikthimin e projektit që ndryshon mënyrën e blerjes së barnave dhe pajisjeve mjekësore për spitalet publike, duke i hapur rrugë bashkëpunimit të një shoqërie shtetërore me operatorë privatë.

​Nisma ishte prezantuar më herët, por mbeti e pafirmosur nga ish-ministrja Evis Sala para largimit të saj nga detyra. Sipas draftit të ri, shoqëria shtetërore që do të menaxhojë këto prokurime nuk do të veprojë më e vetme sipas modelit aktual, por do të ketë mundësi të krijojë partneritete me kompani private për furnizimin e spitaleve në vend.

​Qeveria e arsyeton këtë lëvizje me nevojën për të garantuar furnizim të pandërprerë me barna dhe pajisje mjekësore. Megjithatë, skema e propozuar ngre pikëpyetje të forta mbi përqendrimin e fondeve publike dhe të tenderave të shëndetësisë në një strukturë të vetme, si dhe mbi rrezikun e kufizimit të konkurrencës së lirë në treg.

​Struktura e re i ngjan modelit të kompanisë shtetërore të mbrojtjes, KAYO, të krijuar më herët nga qeveria, ku kapitali publik ndërthuret me atë privat. Pa mekanizma të rreptë transparence dhe mbikëqyrjeje, ekziston shqetësimi se ky mekanizëm mund të fitojë ndikim dominues mbi tregun farmaceutik, duke e bërë vendimmarrjen mbi përfituesit e kontratave publike më të vështirë për t’u kontrolluar.

Shperndaja një miku
Lini një koment