Protesta zhvendoset përpara Kryeministrisë, policia gjobit 36 protestues për pengim të qarkullimit të automjeteve

Nga
A Shehu
Leximi

Protesta e sotme nisi pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, për të vijuar më pas drejt Fakultetit Ekonomik dhe Ministrisë së Arsimit, ku të rinjtë qëndruan për disa orë, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe duke u bërë thirrje studentëve të tjerë që t’i bashkohen lëvizjes së tyre.

Gjatë marshimit, studentët kanë mbajtur pankarta dhe kanë lëshuar thirrje kundër qeverisë, ndërsa kanë kërkuar bojkotimin e procesit mësimor si formë kundërshtimi ndaj situatës politike në vend.

Përpara Ministrisë së Arsimit, protestuesve iu bashkuan edhe studentë nga fakultete të tjera, përfshirë Mjekësinë dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Në një moment, të rinjtë kënduan së bashku himnin kombëtar, përpara se të vijonin protestën.

Pas disa orësh protestë dhe marshimesh nëpër universitetet e Tiranës, studentët janë zhvendosur përpara Kryeministrisë, ku vijojnë thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.Pritet që gjatë orëve në vijim tubimit t’i bashkohen edhe qytetarë të tjerë, në mbështetje të kërkesave të të rinjve.

Ndërkohë, studentët vijojnë të refuzojnë ofertat e përsëritura të kryeministrit për dialog. Edhe mëngjesin e sotëm, Rama përsëriti ftesën për bisedime, por protestuesit këmbëngulin se dorëheqja e tij mbetet kërkesa kryesore dhe e panegociueshme.

Protestat studentore kanë vijuar prej disa javësh në kryeqytet, të shoqëruara me bojkot të mësimit, marshime në fakultete dhe tubime përpara institucioneve shtetërore. Studentët kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Ndërkohë Policia ka ndëshkuar me nga 5 mijë lekë të rinj, 36 pjesëmarrës në protestën e së martës, të cilët penguan qarkullimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugën e Durrësit.

 

Blutë thonë, se pavarësisht thirrjeve të përsëritura përmes megafonit, për lirimin e rrugës, protestuesit nuk janë bindur dhe kanë vijuar të qëndrojnë aty.

“Masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugën e Durrësit, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit, për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë”, njoftoi sot policia.

Në argumentimin e punonjësit të policisë thuhet se protestuesja e gjobitur, së bashku me persona të tjerë, kishte bllokuar rrugën dhe kishte refuzuar thirrjen për ta liruar atë.

Shperndaja një miku
Lini një koment