Policia ka shoqëruar këtë të hënë disa protestues në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë. Ndonëse protesta është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe nuk janë raportuar incidente apo përplasje mes protestuesve dhe efektivëve, policia ka ndërhyrë duke shoqëruar gjashtë persona.
Sipas informacioneve, qytetarët janë ndaluar teksa po largoheshin nga turma e protestuesve pranë godinës së Kryeministrisë. Ata janë marrë me forcë nga efektivët dhe janë futur në automjetet e policisë.
Protestat sot kanë nisur me marshimin e studentëve, të cilet vijojnë të bojkotojnë mësimin. Ata kanë vijuar protestën në Tiranë, duke marshuar drejt Universitetit të Mjekësisë, ku janë pozicionuar pas kalimit në disa universitete të tjera.
Pjesë e protestës janë bërë edhe studentë nga rrethet, të cilët janë shprehur se bojkoti i mësimit do të vijojë deri në largimin e kryeministrit Rama.