Qeveria nxjerr në “shitje” katër kala historike, 700 metra katrorë do të jepen për përdorim për 20 vite

Nga
A Shehu
Leximi

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka hapur konkurrimin për dhënien në përdorim të 700 metrave katrorë ambiente shërbimi në kalatë e Rozafës, Kaninës, Prezës dhe Petrelës. Kontratat parashikohen deri në 20 vjet, me të drejtë rinovimi, ndërsa investimet do të financohen nga operatorët fitues.

 

Katër procedurat, të publikuara në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të 19 tetorit 2026, synojnë rijetësimin e hapësirave të përcaktuara brenda monumenteve të kulturës të kategorisë së parë, përmes projekteve që do të realizohen nga subjektet e përzgjedhura në konkurrim.

 

Sipërfaqja më e madhe e ofruar ndodhet në Kalanë e Kaninës, në Vlorë, ku konkurrimi përfshin një ambient shërbimi prej 300 metrash katrorë. Në Kalanë e Rozafës, në Shkodër, është përcaktuar një hapësirë prej 200 metrash katrorë në oborrin e tretë.

 

Dy procedurat e tjera përfshijnë nga 100 metra katrorë në oborret e kalave të Prezës dhe Petrelës, në zonën e Tiranës.

 

Objekti i konkurrimit është dhënia në përdorim e ambienteve të përcaktuara të shërbimit dhe jo e kalave në tërësinë e tyre. Të katër pasuritë gëzojnë statusin e monumentit të kulturës dhe përdorimi i hapësirave duhet të jetë në përputhje me legjislacionin për trashëgiminë kulturore.

Shperndaja një miku
Lini një koment