Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dënimin me nga 1 vit burgim për ish-kryetarin e Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, dhe tre ish-zyrtarë të tjerë të këtij institucioni, Dorian Spaho, Andi Bullari dhe Ledio Xharo, të akuzuar për “Shpërdorim të detyrës” të kryer në bashkëpunim. Kërkesa është depozituar në konkluzionet përfundimtare pranë Gjykatës së Posaçme (GJKKO) dhe lidhet me dhënien e paligjshme me qira të rreth 67 hektarëve tokë shtetërore për ndërtimin e impianteve diellore.
Në pretendimet e saj, prokuroria kërkoi fillimisht dënimin me nga 1 vit e 6 muaj burg për secilin prej të pandehurve, por për shkak të aplikimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar, masa përfundimtare u ul në 1 vit burgim. Krahas dënimit me heqje lirie, organi i akuzës ka kërkuar edhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat 3-vjeçar për ish-kryebashkiakun Kokoneshi dhe 2-vjeçar për tre bashkëpunëtorët e tij.
Sipas hetimeve të SPAK, skema e shkeljeve lidhet me procedurat e ndjekura për ndryshimin e kategorisë së rreth 67 hektarëve tokë në pronësi të shtetit, të cilat rezultonin të regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës si tokë bujqësore. Këto sipërfaqe më pas janë dhënë me qira për një periudhë 10-vjeçare për ngritjen e parqeve fotovoltaike, veprime që sipas prokurorisë janë kryer në kundërshtim të hapur me ligjin.
Në mbyllje të procesit gjyqësor, prokuroria vlerëson se provat e grumbulluara gjatë hetimit dhe gjykimit vërtetojnë plotësisht konsumimin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim nga katër ish-zyrtarët lokalë.