Ish-kryeministri socialist Pandeli Majko ka hedhur poshtë raportimet mediatike se gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste ka folur për video erotike apo jetën intime të kolegëve të tij. Përmes një reagimi me tone ironike në rrjetet sociale, Majko sqaron se thelbi i shqetësimit të ngritur prej tij ka qenë krejt tjetër: kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese të politikanëve me krimin e organizuar, për të cilat ka kërkuar hapur largimin e personave të përfshirë nga politika.
Duke e nisur postimin e tij me frazën “Ndjesë e detyruar”, deputeti socialist e përshkruan me humor zhurmën e krijuar në media rreth deklaratave të tij në forumet e partisë. Ai saktëson se referenca e vetme ndaj materialeve filmike lidhej me një informacion tashmë publik mbi video të sekuestruara nga SPAK-u, dhe aspak me tema erotike.
“Në fjalën time në asamblenë kombëtare kam folur për kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar! Në mbledhje kërkova që këta njerëz duhet të largohen nga politika! Asnjë fjalë për ‘erotizmin’ apo ‘videot e seksit’!” shkruan Majko.
Në reagimin e tij, ish-kryeministri ndalet edhe te mënyra se si u përcoll ky lajm në studiot televizive, duke veçuar gazetarin Muhamed Veliu si të vetmin që kërkoi konfirmim prej tij, ndërsa ironizon gazetarin Blendi Fevziu se i pëlqeu më shumë “varianti me seks”.
Në përmbyllje, Majko ngre një kritikë mbi prioritetet e debatit publik në Shqipëri, duke vënë në dukje paradoksin se si për një person publik perceptohen si më të rënda videot intime sesa lidhjet e rrezikshme me krimin e organizuar, përpara se ta mbyllë me ironinë e tij të fundit: “Ndjesë për zhgënjimin!”.