Studentët nuk dorëzohen, pasi çuan në Gjykatën Kushtetuese paketën e masave ndëshkuese për protestat, vijojnë me bojkotin e mësimit

Nga
A Shehu
Leximi

Protesta studentore kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama vijon të shoqërojet me bojkotin e mësimit në disa Universitete. Prej disa javësh, të rinjtë janë angazhuar në protesta dhe marshime në Tiranë, duke u ndalur në fakultete të ndryshme për të kërkuar mbështetjen e studentëve të tjerë dhe zgjerimin e lëvizjes. Gjatë protestave, studentët kanë bërë thirrje për ndërprerjen e mësimit dhe bashkimin me kauzën e tyre.

Marshimet janë zhvilluar në ambientet e Universitetit të Arteve, Fakultetit të Drejtësisë, Fakultetit Ekonomik dhe Universitetit Politeknik, ndërsa edhe ditën e sotme pritet të vijojë bojkoti. Deri më tani studentët e kanë refuzuar ftesën për dialog të Ramës, duke këmbëngulur se dorëheqja i tij është kërkesa kryesore e protestës.

Ndërkohë një ditë më parë studentët dhe katër organizata të shoqërisë civile kanë çuar në Gjykatën Kushtetuese paketën ndëshkuese të qeverisë për protestat, duke kërkuar pezullimin e masave që, sipas tyre, kërcënojnë pjesëmarrësit paqësorë me gjoba të rënda, kufizime të lëvizjes dhe kontroll policor.

Grupimet “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, bashkë me Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë dhe EcoAlbania, kanë depozituar tre ankime kundër akteve normative nr. 5 dhe 6 dhe VKM-së nr. 815/2026, të miratuara më 28 tetor. Ata kërkojnë shqyrtim me përparësi, përpara se frika nga ndëshkimi të frenojë pjesëmarrjen në protesta.

“Këto akte synojnë të ngushtojnë hapësirën e fundit demokratike që na ka mbetur: të drejtën për të protestuar, për të kundërshtuar padrejtësinë dhe për të ngritur zërin”, deklarojnë studentët.

Shperndaja një miku
Lini një koment