Përmes një letre publike të dërguar nga burgu i Fierit, Erion Veliaj i ka kërkuar zv.kryeministres Belinda Balluku të miratojë kryerjen e operacionit në këmbën e tij në Tiranë, duke përdorur tone ironike mbi peshën e saj vendimmarrëse në qeveri.
Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar një aksion blic në qelinë e Erion Veliajt pak minuta pas publikimit të letrës drejtuar Ballukut. Sipas informacioneve paraprake, gjatë verifikimeve nuk është konstatuar asnjë send i ndaluar në ambientin ku mbahet kryebashkiaku i Tiranës.
“Lapsin dhe letrën nuk ma merrni dot”, është shprehur Veliaj pas ndërhyrjes së autoriteteve të burgjeve.

Sipas tekstit të letrës së publikuar nga vetë Veliaj, kërkesa ndaj Ballukut vjen pasi apelimet e tij të mëparshme pranë kryeministrit Edi Rama, ministrit Toni Gogu dhe drejtoreshës së Burgjeve për të marrë trajtimin mjekësor nuk kanë marrë përgjigje. Duke iu drejtuar Ballukut në cilësinë e drejtueses politike të Qarkut të Fierit — zonë ku ndodhet edhe institucioni i vuajtjes së dënimit ku ai po mbahet prej një muaji — Veliaj ironizon balancat e pushtetit brenda mazhorancës.
Në mesazhin e tij, ai shkruan se po i drejtohet asaj pasi, sipas komenteve që qarkullojnë, vendimmarrja reale është përqendruar në duart e saj dhe jo të kryeministrit.
”Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se ‘Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim’ dhe se ‘hallin tënd e zgjidh veç Bela’. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike,” citon letra e Veliajt.
Ai bën me dije se po e kalon periudhën e izolimit me një këmbë të thyer dhe me nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale. Për këtë arsye, Veliaj kërkon miratimin që operacioni të kryhet në Tiranë, pranë mjekut të tij dhe familjes, duke e mbyllur letrën me nënshkrimin: “Socialisti ‘me duar të lidhura'”.
Deri në këto momente, nuk ka ende një reagim zyrtar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku apo nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lidhur me këtë kërkesë dhe gjendjen e tij shëndetësore.