40 për qind e popullsisë shqiptare përballet me privim të thellë material dhe social, duke qenë e paaftë të mbulojë nevojat bazë të jetesës.
Sipas raportit të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT) për vitin 2025, shkalla e popullsisë në rrezik varfërie ose përjashtim social qëndron në 39,4%. Kjo do të thotë se afërsisht 4 në 10 qytetarë nuk mund të përballojnë shpenzime elementare, si mbajtja e banesës ngrohtë, një javë pushime në vit apo një faturë të paparashikuar prej 30 mijë lekësh.
Të ardhurat mesatare në vend janë rritur me 10,5%, por të dhënat tregojnë një përqendrim të kësaj rritjeje. Koeficienti që mat pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave, është rritur nga 29,83% në 30,37% brenda një viti.
Raporti i kuintileve S80/S20 ka arritur në 4,83, që tregon se 20% e popullsisë më të pasur fiton gati pesë herë më shumë se 20% e popullsisë më të varfër.Pabarazia është theksuar edhe te popullsia në moshë aktive pune, ku raporti përkatës është rritur nga 5,05 në 5,16. Varfëria relative mbetet në 19,0%, me një kufi zyrtar jetese prej 349.565 lekësh në vit për person.
Familjet me fëmijë në ngarkim kanë një rrezik varfërie prej 24,5%, më shumë se dyfishi i rrezikut prej 11,0% që kanë familjet pa fëmijë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se, pavarësisht rritjes së të ardhurave mesatare, shpërndarja e tyre mbetet e pabarabartë dhe rreziku i varfërisë vazhdon të prekë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, veçanërisht familjet me fëmijë.