Ndërsa qytetet shqiptare përballen me mungesë investimesh jetike, kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, ka hapur thesin prej 72 milionë eurosh për të lyer fasadat dhe për të mbuluar gropat e lëna pas nga “Rilindja Urbane”. Pjesa e luanit nga kjo “tortë” buxhetore po shkon në duar tejet të dyshimta, ku plot 5 milionë euro sapo i janë besuar një konsorciumi ku bën pjesë kompania “Bajrami N”, në pronësi të ish-nënkryetares së Bashkisë Elbasan, Anduena Bajrami.
Çfarë duhet të dini shkurtimisht:
- Pazari i ri: Më 8 tetor 2026, FSHZH-ja e drejtuar nga Dritan Agolli i dha 499 milionë lekë (mbi 5 milionë euro) bashkimit të operatorëve ku bën pjesë firma “Bajrami N” për rigjenerimin e fasadave në 6 qarqe.
- Paradoski i bilanceve: Kompania arkëton dhjetëra miliona euro nga thesari i shtetit, por në vitin 2024 deklaroi 42 milionë lekë humbje, ndërsa për vitin 2025 nxori vetëm 9 mijë euro fitim.
- Prapaskena e errët: Bashkëshorti i ish-nënkryetares dhe themeluesi i firmës, Nazif Bajrami, rezulton i skeduar në një shkresë sekrete të dhjetorit 2020 pas sinjalizimeve nga autoritetet zvicerane për trafik droge.
“Rilindja” me bojë e Dritan Agollit dhe pazari në 6 qarqe
Fondi Shqiptar i Zhvillimit është kthyer në një nga institucionet më hermetike në vend, ku dhjetëra miliona euro shpërndahen pa një kontroll të rreptë nga organet ligjzbatuese. Pavarësisht debateve të forta publike, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ende nuk ka vënë në shënjestër mënyrën se si ky institucion menaxhon paratë e taksapaguesve.
Më 8 tetor 2026, Agolli firmosi ndarjen e radhës për tenderin me objekt “Rigjenerimi urban i stokut të banesave – Faza IV”. Projekti parashikon lyerje dhe ndërhyrje në fasadat e pallateve në qarqet Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër.
Kontrata që do të zgjasë 24 muaj u fitua nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Colombo”, “Blerimi”, “Bajrami N.” dhe “Agi Kons”, me një ofertë fituese prej 499 milionë lekësh (mbi 5 milionë euro).
Mrekullia shqiptare: Arkëton miliona nga shteti, del me humbje në letra!
Detaji më tronditës në këtë aferë lidhet me pasqyrat financiare të kompanisë “Bajrami N”. Edhe pse në regjistrat e Thesarit të Shtetit kjo firmë rezulton e paguar me dhjetëra miliona euro ndër vite, bilancet e saj ngjajnë me ato të një biznesi në prag falimenti.

Në qershor të vitit 2026, kompania publikoi bilancin e vitit 2025, ku ortakja e vetme Anduena Bajrami deklaronte një fitim qesharak prej vetëm 857 mijë lekësh (rreth 9 mijë euro).

Edhe më skandaloz paraqitet viti 2024, ku firma ka raportuar një humbje prej 42 milionë lekësh. Këto shifra kanë ngritur dyshime të vazhdueshme te hetuesit për manovra fiskale dhe veprimtari të paligjshme, por çdo kontroll deri më sot është mbyllur në heshtje.

Perandoria e tenderëve në Elbasan dhe abuzimet që gjeti KLSH
Si arriti një kompani familjare të kthehet në përbindësh të fondeve publike? Ngritja e vrullshme e “Bajrami N” përkon me emërimin e Anduena Bajramit si nënkryetare e Bashkisë Elbasan pas vitit 2013, post që e mbajti si nën drejtimin e Qazim Sejdinit, ashtu edhe të Gledian Llatjas.
Vetëm nga Bashkia e Elbasanit, kjo kompani ka fituar e vetme (pa bashkim operatorësh) plot 35 tendera me një vlerë marramendëse prej 739.6 milionë lekësh. Ndërkohë, e vetme në garë ka përlarë edhe 18 procedura në Bashkinë e Librazhdit (rreth 3 milionë euro), si dhe dhjetëra kontrata të tjera në Peqin, Belsh dhe Gramsh.
Punimet e saj kanë lënë pas një gjurmë të gjatë skandalesh:
- Shkolla “Kostandin Kristoforidhi” (130 milionë lekë): Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) zbuloi dhjetëra abuzime të rënda me fondet e rikonstruksionit.
- Parku Qendror “Rinia” (208 milionë lekë): Menjëherë pas përfundimit, parku u shkatërrua dhe u deshën fonde shtesë për ta vënë në punë.
- Rrugët në lagjen “5 Maji” (500 mijë euro) dhe Sheshi “Valmi” (62 milionë lekë): Projekte të fituara pa garë reale.
Prapaskenat: Shkresa sekrete nga Zvicra dhe rikonstruksioni i Policisë
Hulumtimet e mëtejshme mediatike zbulojnë një prapaskenë edhe më të rëndë rreth familjes që zotëron 100% të aksioneve të kësaj kompanie. Para se aksionet t’i kalonin ish-nënkryetares Anduena Bajrami, firma kontrollohej nga bashkëshorti i saj, Nazif (Nafiz) Bajrami, i cili merrte tendera nga Bashkia Elbasan pikërisht në kohën kur gruaja e tij ishte numri dy i atij institucioni.
Sipas investigimeve të publikuara në media, në dhjetor të vitit 2020, në zyrat e policisë shqiptare mbërriti një shkresë e klasifikuar si “Sekret Shtetëror” për 10 vite. Dokumenti bazohej në informacionet e autoriteteve të Zvicrës, të cilat e skedonin Nazif Bajramin si person të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge që prej vitit 2019.
Paradoksi arriti kulmin kur, pavarësisht këtij sinjalizimi me “flamuj të kuq” nga partnerët ndërkombëtarë dhe akuzave për devijimin e shtratit të lumit Shkumbin për inerte, kompania e familjes Bajrami fitoi madje edhe tenderin për rikonstruksionin e vetë godinës së Drejtorisë së Policisë së Elbasanit!
Ndërsa dosjet me shkelje të KLSH-së dhe shkresat e partnerëve të huaj mbledhin pluhur nëpër sirtarë, mbetet për t’u parë nëse SPAK do të guxojë të hetojë “zemërgjerësinë” prej 5 milionë eurosh të Dritan Agollit apo fasadat do të mjaftojnë për të mbuluar çdo gjurmë.