Alarmi i shkencëtarëve për fenomenin “El Niño”: Temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë deri në 451 mijë viktima deri në vitin 2027

Nga
A Shehu
Leximi

Një nga episodet më të fuqishme klimatike të regjistruara ndonjëherë, i njohur si “El Niño”, po intensifikohet me shpejtësi dhe pritet të sjellë pasoja të rënda globale deri në vitin 2027, me një bilanc tragjik që mund të arrijë deri në 451 mijë vdekje shtesë në mbarë botën. Paralajmërimi vjen nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) dhe studiuesit e Climate Impact Lab në Universitetin e Çikagos, të cilët i cilësojnë efektet e pritshme si të krahasueshme me një krizë shëndetësore në shkallë pandemike.

Sipas analizës së shkencëtarëve të Universitetit të Çikagos, periudha nga qershori 2026 deri në shkurt 2027 paraqet rrezikun më të lartë për shëndetin publik. Valët e padurueshme të të nxehtit, thatësirat e zgjatura, përmbytjet masive, zjarret dhe përhapja e shpejtë e sëmundjeve infektive pritet të godasin rëndë popullatat në rajone të ndryshme të planetit.

“Kombinimi i temperaturave rekord të oqeanit me ndryshimet klimatike mund t’i përkeqësojë ndjeshëm pasojat,” paralajmërojnë studiuesit, duke kërkuar masa emergjente nga qeveritë për të mbrojtur shtresat më të ekspozuara ndaj mungesës së ujit dhe pasigurisë ushqimore.

Nga pikëpamja shkencore, El Niño është një fenomen natyror që karakterizohet nga ngrohja e pazakontë e ujërave sipërfaqësore të Oqeanit Paqësor tropikal. Ky çrregullim termik transformon qarkullimin atmosferik në shkallë planetare, duke përmbysur modelet e zakonshme të motit: ndërsa disa zona do të përballen me thatësira ekstreme dhe temperatura rekord, rajone të tjera do të goditen nga stuhi dhe reshje intensive.

Ndonëse WMO konfirmon se fenomeni është tashmë i konsoliduar dhe do të vijojë të forcohet deri në fillim të vitit 2027, ekspertët theksojnë se ashpërsia e impaktit do të ndryshojë nga njëri rajon në tjetrin, në varësi të stinës dhe kushteve gjeografike lokale, duke e bërë mobilizimin ndërkombëtar të domosdoshëm që në këto momente.

Shperndaja një miku
Lini një koment