Këngëtarja e njohur Jennifer Lopez ka folur hapur për periudhën e vështirë emocionale pas ndarjes nga Ben Affleck, duke ndarë këshillat e psikoterapistit të saj për të kapërcyer ndjesinë se kishte dështuar në marrëdhëniet e kaluara. Në një intervistë të dhënë më 17 nëntor, 57-vjeçarja u ndal te katër martesat e saj, duke pranuar se i është dashur kohë për të kuptuar nevojat e veta dhe për të mos e konsideruar natyrën e saj romantike si një dobësi.
“Ndjeva se duhej të zbuloja se çfarë po bëja këtu. Ndihesha njësoj si kur lindën fëmijët e mi, por kishte ende disa pjesë të vetes që nuk i kisha kuptuar. Madje, ende nuk i kam kuptuar plotësisht. Dhe nuk ka asgjë të keqe në këtë, jeta është e gjatë”, u shpreh ajo.
Lopez tregoi se ndarja e fundit u shndërrua në një mundësi për të njohur më mirë veten. Ajo kujtoi se si psikoterapisti e nxiti të vazhdonte përpara, duke pranuar çdo anë të personalitetit të saj, përfshirë edhe anën e saj romantike që tashmë e sheh si burim të kreativitetit dhe forcës artistike.
“Kjo është pjesa ime artistike. Është ëndërrimtari brenda meje. Është njeriu që krijon gjithçka që kam mundësinë të krijoj. Është ana ime guximtare, ajo që del përpara 50 mijë njerëzve, kërcen dhe bën akrobaci drejtpërdrejt në skenë”, tha Lopez, duke shtuar me humor se një artist duhet të jetë paksa i çmendur.
Gjatë intervistës, artistja iu referua me humor edhe historisë së saj sentimentale dhe katër martesave të kaluara (me Ojani Noa, Cris Judd, Marc Anthony dhe Ben Affleck), duke treguar se si përballet me situatat komike nga publiku. Nga martesa me Marc Anthony, ajo ka dy fëmijë binjakë 18-vjeçarë, Max dhe Emme.