Buxheti i vitit 2027, ulet në 6% TVSH për ushqimet e shportës, rritet për turizmin

Nga
A Shehu
Leximi

Për herë të parë në Shqipëri synohet të aplikohet një TVSH e reduktuar për ushqimet e shportës. Me paketën fiskale 2027, qeveria propozon që TVSH-ja për këto produkte të ulet nga 20% në 6%, duke përfshirë produkte të shportës ushqimore, si: buka dhe mielli, qumështi dhe kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi, peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet bazë për foshnja.

Lista e detajuar e produkteve që do të përfitojnë nga norma e reduktuar parashikohet të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.Ndryshimet e propozuara synojnë uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, një kërkesë e vazhdueshme e prodhuesve vendas të mallrave të konsumit dhe importuesve.

Ndryshimet janë propozuar në projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar”.“Ulja e shkallës së TVSH-së për produktet ushqimore në 6% shihet si një instrument pozitiv për të lehtësuar barrën tatimore mbi konsumin bazë dhe për të përmirësuar përballueshmërinë e këtyre produkteve nga ana e familjeve shqiptare”, theksohet në relacionin e projektligjit.

Por, krahas lehtësimit të propozuar për produktet e shportës ushqimore, projektligji parashikon rritjen e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%.

“Rishikimi i shkallës standarde të tatimit mbi vlerën e shtuar, nëpërmjet përcaktimit të saj në masën 21%, synon të balancojë efektin negativ në të ardhurat buxhetore si rrjedhoje e aplikimit të shkallës së reduktuar të TVSH-së për produktet ushqimore bazë, duke mundësuar kështu bazë të qëndrueshme të të ardhurave publike për të përballuar detyrimet buxhetore dhe për të mbështetur financimin e shërbimeve publike, investimeve dhe prioriteteve të zhvillimit ekonomik”, vlerësohet në relacion.

Ndryshime parashikohen edhe për sektorin e turizmit, ku norma e TVSH-së propozohet të rritet nga 6% në 10%. Prej vitit 2017 për sektorin e turizmit aplikohet norma e reduktuar e TVSH-së prej 6%.

Miratimi dhe zbatimi i këtij projektligji parashikohet të sjellë efekte financiare negative në buxhetin e shtetit, konkretisht rreth 1,6 miliardë lekë.

Efekti nga rritja e shkallës standarde të TVSH-së në 21%, vlerësohet pozitiv, rreth 10,6 miliardë lekë. Efekti nga ulja e shkallës së TVSH-së për produktet e shportës në 6%, vlerësohet negativ, rreth 12,8 miliardë lekë. Ndërsa, efekti nga rritja e shkallës së reduktuar të TVSH-së për sektorin e turizmit në 10 %, vlerësohet pozitiv, rreth 614 milionë lekë.

Kontabilistët pohuan për Monitor se rritja e përgjithshme e TVSH do të prekë shumë sektorë, përfshirë transportin, të materialeve të ndërtimit dhe të turizmit./Monitor.al

Shperndaja një miku
Lini një koment