Në ekrane përplasen për korrupsion e diktaturë, por në bregdetin e Vlorës firmat e kryeministrit dhe interesat e ish-drejtuesve demokratë ulen në të njëjtën tavolinë. Edi Rama ka ngritur prej vitesh mekanizmin më efektiv të pushtetit të tij: neutralizimin dhe përthithjen e kundërshtarëve politikë përmes lejeve të kullave, statuseve speciale, pronave dhe posteve publike.
Kjo skemë ka shkrirë kufirin real mes pozitës dhe opozitës, duke e lënë vendin peng të një sistemi të mbyllur dypartiak, ku të dyja krahët duket se ushqehen nga e njëjta nënë dhe ndajnë pazaret sapo shuhen kamerat. Dosja e fundit e Vlorës, e dokumentuar me vendime të KKT-së, VKM dhe akte të QKB-së, tregon me emra dhe data sesi funksionon kjo makineri.
Kullat e Endi Kollozit me firmën e Edi Ramës
Në qendër të bregdetit vlonjat del emri i Endi Kollozit, djalit të ish-deputetit demokrat dhe ish-kreut të ALUIZNI-t në qeverinë Berisha, Ardian Kollozi. Në shkurt 2022, Endi Kollozi themeloi shoqërinë E&A INVESTIMENT VLORE me kapital minimal prej 100 mijë lekësh.
Dhjetë muaj më vonë, më 28 dhjetor 2022, Këshilli Kombëtar i Territorit i drejtuar nga Edi Rama i miratoi me vendimin nr. 13 lejen për kompleksin Vlora Landmark Resort — një strukturë gjigante hotelieri dhe rezidenciale me sipërfaqe mbi 100 mijë metra katrorë.
Qeveria nuk u ndal te leja. Më 1 gusht 2024, Këshilli i Ministrave me firmën e Ramës i dha po kësaj kompanie statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special”, duke hapur rrugën për lehtësi fiskale dhe trajtim të privilegjuar.
- Ndarja e aksioneve: Endi Kollozi kontrollon 70% të kapitalit përmes Blu Horizont 2005, ndërsa 30% mbahen nga Astrit Hoxha përmes ARDIT-06.
- Gjyqi me shtetin: Kollozi dhe Hoxha figurojnë së bashku si të paditur në një proces gjyqësor ku është palë Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP), me objekt shfuqizimin e një vendimi, çështje e shënuar në kalendarin gjyqësor më 13 korrik 2026.
- Pikëpyetjet mbi kapitalin: Burime redaksionale të cituara nga Pamfleti aludojnë për dyshime mbi financimin e kullave nga grupe kriminale, pretendime që deri tani nuk kanë kaluar në verifikim zyrtar apo akt hetimor publik.
Nga Kadastra e Genc Deromemajt te pazaret e tjera me opozitën
Vlora prodhoi edhe lëvizjen e dytë brenda të njëjtit rreth. Më 24 qershor 2025, administrata e Ramës vendosi në krye të Kadastrës së Vlorës Genc Deromemajn — anëtar i PD-së që nga viti 2002, kandidat demokrat për bashkinë më 2015, kryetar i degës së Vlorës (2018–2022) dhe mbështetës i Sali Berishës në përplasjen ndaj Lulzim Bashës.
Dy muaj para emërimit, më 18 prill 2025, kompania e tij e ndërtimit N94 (NIPT J66828210D) kishte futur në rendin e ditës të KKTU-së dy projekte: një godinë 5-katëshe në Sarandë dhe një kompleks 2 deri në 8 kate në Vlorë. Një ditë pas uljes në karrigen e Kadastrës, më 25 qershor 2025, ai vendosi administrator në QKB Arlind Deromemajn, duke mbajtur 100% të pronësisë, derisa u dorëhoq në heshtje më 4 nëntor 2025.
Rastet e Vlorës vetëm sa zgjasin listën e gjatë të shkrirjes së kampeve. Në vitin 2018, ish-ministri i Financave i PD-së, Ridvan Bode, u zgjodh me votat e mazhorancës në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Po atë vit, qeveria e Ramës mbështeti ish-ministren demokrate Majlinda Bregu për drejtimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Skenari u përsërit edhe me eksponentë të opozitës nga radhët e ish-LSI-së: Nasip Naço dhe Lefter Koka kaluan direkt në grupin parlamentar të PS-së, ndërsa Vangjel Tavo u katapultua nga Rama fillimisht Prefekt i Vlorës dhe më pas kryebashkiak i Himarës nën siglën socialiste.
Kur lejet e betonit, zyrat e pronave dhe postet e larta shpërndahen rregullisht nga njëri krah te tjetri, lufta politike në parlament kthehet në teatër të lirë. Për qytetarët e zakonshëm, pyetja e vetme reale nuk është më kush fiton zgjedhjet, por kur do të nisë SPAK të ndjekë paratë dhe pazaret që lidhin të dyja anët e të njëjtit pushtet.