Protesta e studentëve, eurodeputetja Ilaria Salis: Mund të shënojnë një pikë kthese për Shqipërinë

Nga
A Shehu
Leximi

Eurodeputetja italiane Ilaria Salis ka reaguar publikisht mbi protestat e studentëve në Shqipëri, të cilat kanë hyrë në ditën e tyre të tretë, duke e cilësuar lëvizjen si një reagim ndaj politikave të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Përmes një deklarate të publikuar në rrjetet e saj sociale, Salis shprehetw se mobilizimi i të rinjve vjen pas muajsh protestash të organizuara nga iniciativa “Lëvizja Flamingo” — në aktivitete të së cilës eurodeputetja bëri me dije se ka marrë pjesë personalisht gjatë një vizite në Tiranë qershorin e kaluar.

Sipas politikanes italiane, argumentet kryesore pas protestave lidhen me pakënaqësitë ndaj shkurtimeve të buxhetit në arsim, vështirësitë ekonomike, korrupsionin dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.

Në reagimin e saj, Salis i vlerësoi këto zhvillime si pjesë të një vale më të gjerë reagimesh shoqërore në Evropë, duke veçuar gjithashtu lëvizjet e fundit në vende si Spanja dhe Franca.

Reagimi:

 

Një protestë popullore po ndizet në Shqipëri! Pas muajsh mobilizimi nga “Lëvizja Flamingo” — në të cilën kam marrë pjesë edhe unë personalisht, duke udhëtuar drejt Tiranës qershorin e kaluar për të shprehur mbështetjen time — protestat janë intensifikuar ndjeshëm gjatë dy ditëve të fundit.

 

Studentët kanë dalë në rrugë kundër qeverisë së Edi Ramës për të denoncuar shkurtimet në arsim, vështirësitë ekonomike në rritje, korrupsionin dhe mungesën e perspektivës, duke nxitur një kryengritje të vërtetë popullore që mund të shënojë një pikë kthese në historinë e vendit.

 

Pakënaqësia është e thellë dhe e përhapur; gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin ta kanalizojnë zemërimin dhe zhgënjimin e tyre në një luftë kolektive.

 

Nga Madridi në Tiranë, e duke kaluar përmes Francës, një erë rebelimi dhe proteste po përfshin të gjithë kontinentin. Ky është versioni më i mirë i Evropës: ai që del në rrugë. Dhe pikërisht nga kjo Evropë e luftës duhet të marrim frymëzim e energji të re për një projekt politik, i cili është i aftë ta transformojë shoqërinë tonë mbi baza progresive.

Shperndaja një miku
Lini një koment