Që prej orës 14:00 studentët kanë rinisur protestën tek Ministria e Arsimit, ndërsa aktualisht protestuesit kanë vijuar marshimin nëpër rrugët e Tiranës, duke u zhvendosur drejt 21 Dhjetorit dhe më pas drejt Zogut të Zi. “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Dorëheqje!” janë mes sloganeve që kanë shoqëruar marshimin. Thirrja kundër të dy drejtuesve kryesorë politikë është dëgjuar vazhdimisht edhe gjatë protestave të mëparshme të studentëve, të cilët kanë këmbëngulur se nuk ndihen të përfaqësuar nga partitë tradicionale.
Protesta kundër kryeministrit Edi Rama përpara Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me momente tensioni. Një grup studentësh i kanë flakën 2 koshave me mbeturina në “Rrugën e Durrësit”, të cilat u shuan shpejt pas ndërhyrjes së policisë.
Prej më shumë se një muaji vijon protesta studentore në Tiranë. Ata kanë vendosur vijimin e protestave kundër Ramës, duke i zhvilluar ato në 2 ditë të javës: të mërkurën dhe të shtunën, në orën 14:00.